- Programi kishte për qëllim mbështetjen e tri bankave qendrore për t’i zbatuar standardet e BE-së
- Analizat u kryen nga ekspertët e BQE-së dhe të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore
- BE-ja kishte ndarë 500.000 € për programin nga Instrumenti për Asistencën e Paraanëtarësimit
Banka Qendrore Evropiane (BQE) së bashku me bankat qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ) dhe me Komisionin Evropian përfunduan sot programin e bashkëpunimit me Bankën e Shqipërisë (BSH), Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) dhe Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë (BPRM). Programi, i cili filloi më 17 prill 2014, kishte për qëllim mbështetjen e tri bankave qendrore për t’i zbatuar standardet bankare qendrore të Bashkimit Evropian (BE).
Programi u ka kontribuar përgatitjeve nga të trija bankat qendrore për anëtarësim në SEBQ, pasi që ekonomitë përkatëse të kualifikohen për anëtarësim në BE. Funksionet kryesore të BSH-së dhe të BQK-së janë vlerësuar në dritën e standardeve të BE-së dhe standardeve ndërkombëtare, si dhe praktikave më të mira. Ndërkaq, gjetjet u përmblodhën në dy raporte. Gjashtë muaj të bashkëpunimit të ngushtë dhe të punës efikase ekipore ndërmjet ekspertëve nga SEBQ-ja dhe nga secila prej bankave qendrore pjesëmarrëse, mundësuan shqyrtimin e një game të gjerë të fushave bankare qendrore, duke përfshirë mbikëqyrjen bankare, integrimin në BE, stabilitetin financiar, teknologjinë e informacionit dhe auditimin e brendshëm.
Vlerësimi identifikoi fushat në të cilat BSH-ja dhe BQK-ja mund të bëjnë progres, duke zbatuar rregulla ose politika të reja, duke i ndryshuar praktikat dhe duke trajnuar stafin gjatë viteve të ardhshme. Aq më tepër, programi analizoi prioritetet për forcimin e mëtejshëm të BPRM-së, duke pasuar vlerësimin e nevojave të funksioneve të saj, që u përfundua në vitin 2013.
Analizat u kryen nga BQE-ja, në bashkëpunim me bankat qendrore të Gjermanisë, Francës, Italisë, Maltës, Holandës, Austrisë, Portugalisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë. Ekspertë u siguruan edhe nga bankat qendrore të Bullgarisë dhe Republikës Çeke. BE-ja kishte ndarë 500.000 € për programin nga Instrumenti për Asistencën e Paraanëtarësimit.
Programi është pa paragjykim të qëndrimeve të BQE-së dhe Këshillit të BE-së lidhur me implikimet e traktateve të BE-së për regjimin monetar të Kosovës, i cili do të vlerësohet gjatë negociatave për anëtarësim në BE.
Për pyetje të mediave, ju lutemi të kontaktoni Wiktor Krzyżanowski, tel.: +49 69 1344 5755.